Project

Seria e Publikimeve Shkencore: QYTETET E MUNGUARA

Goal: Seria e Publikimeve Shkencore: QYTETET E MUNGUARA është rilexim i historisë së qyteteve dhe vendmbajtësve të tyre gjeografik, me ndjeshmërinë bashkëkohore për të rikuperuar urbanen dhe natyrën në një kohë kur duket se qytetet tona kanë humbur orientimin; është një sinjal për të kuptuar se si fusha e kërkimeve me fokus historinë e një qyteti mund të bëhet aktive dhe pjesëmarrëse për të ndërtuar vlera të së ardhmes; përpjekje për të kuptuar se si zgjidhje në të kaluarën mund të ndikojnë të tashmen dhe të ardhmen. Diferenca midis qytetit real e të përditshëm dhe atij imagjinar, apo midis gjendjes si jemi dhe si duam të jemi, krijon qytetin e munguar. Kjo është hapësira e kërkimit të cilën përpiqemi të eksplorojmë e të risjellim në serinë e qyteteve të munguara.

Updates

0 new
0
Recommendations

0 new
0
Followers

0 new
5
Reads

2 new
23

Project log

Besnik Aliaj
added 2 research items
Si dhe pse qytetet marrin formën që shohim? Arsyet mund të jenë të shumta, por në këtë material do të ndalemi në një marrëdhënie të veçantë që qyteti ka me atë pjesë të imagjinatës që mishërohet gjatë historisë së tij në plane e projekte, qofshin ato të realizuara apo të parealizuara… Kjo imagjinatë është fryt sa i fantazisë, aq edhe i racionalitetit njerëzor. Diferenca midis qytetit të përditshëm, real e të prekshëm dhe atij të mendjes, të shprehur në projekte e vizione të parealizuara apo të realizuara pjesërisht, krijon “qytetin e munguar”. Është pikërisht ky i fundit që përbën hapësirën të cilën synojmë të eksplorojmë përmes këtij kërkimi. Qyteti i munguar në kuptimin e këtij materiali nuk nënkupton një qasje nostalgjike, por përkundrazi, një forcë shtytëse drejt objektivit të qytetit të dëshiruar, qytetit të mendjes, qytetit “ideal”. Si pjesë e shtysës drejt qytetit të dëshiruar, duke qenë të ndërgjegjshëm që kjo përbën një sferë shumë të gjerë kërkimi, në këtë material janë trajtuar vetëm vizionet dhe projektet kryesore të cilët kanë ndikuar idetë për formësimin dhe zhvillimin e qytetit të Tiranës, në harkun kohor midis viteve 1920-1990. Këto janë parë edhe në raport me sfondin historik të kohës, si edhe me eksperienca paralele që kanë nxitur kapërcime cilësore në arenën ndërkombëtare. Në këtë këndvështrim ky material synon të tejkalojë radhitjen e zakonshme të planeve dhe projekteve të hartuara për Tiranën, duke synuar të përdorë si energji pozitive reflektimin mbi këto projekte, në lidhje me elemente të propozuar, të realizuar apo të paardhur në jetë asnjëherë. Në këtë kuptim, kjo është një mënyrë se si mund të trajtohet evolucioni i qytetit jo vetëm duke analizuar atë që ka ndodhur në qytet, por edhe duke “gërmuar” në atë që nuk ka ndodhur asnjëherë, ose në atë që mund të kishte ndodhur. Kështu, gjëra që na kanë mbetur në mendje, apo frustrime pozitive, mundet më në fund të dalin në dritë, të “vizualizohen” e natyrisht të përkthehen në një kontekst të ri, në arkitekturë, apo në qytet. Ky reflektim mbi plane konkrete dhe në një distancë kohore të mjaftueshme nga momenti i hartimit të tyre, kthehet edhe në një reflektim mbi vetë instrumentin “plan” dhe pjojektet në shakallë qyteti. Këto reflektime përbëjnë njëkohësisht konkluzione të rëndësishme për praktikën e sotme të planifikimit. Kjo logjikë mendojmë se është e vlefshme për të krijuar një kulturë të re edhe në Shqipëri lidhur me mënyrën se si trajtohet trashëgimia jo vetëm e ndërtuar, por edhe ajo e mendimeve për zhvillimin e qytetit. Ndryshe nga sa mendohet që Tiranës i mungojnë planet dhe idetë për zhvillim, e kundërta është e vërteta: Tirana mbart një pasuri mendimesh e projektesh të publikuara e të papublikuara, të cilat janë një burim që ende duhet eksploruar. Në fakt, më shumë se çdo gjë tjetër, Tiranës i kanë munguar veprimet, sidomos vazhdimësia e veprimeve të ndërmarra mbi bazën e një vizioni afatgjatë dhe reflektimi mbi përvojat e mëparshme. Materiali është edhe një përpjekje për të treguar se si përmes kërkimeve arkivore dhe analizave historike të ecurisë së qyteteve tona, mund të nxjerrim mësime shumë të vlefshme për mënyrën se si duhet të veprojmë sot dhe masat që duhet të marrim për ndryshime të qasjes në lidhje me qytetin dhe territorin. Në material do të shohim se shumë çështje që kanë të bëjnë me parime teorike dhe praktike të hartimit të instrumenteve urbanistike për të cilat diskutohet edhe në ditët e sotme, si p.sh. niveli i detajimit të planeve dhe shkalla e hartimit të tyre, horizontet e parashikimeve kohore dhe shkalla e saktësisë së tyre, niveli i kompleksitetit, cilësia e të qenurit strategjik, madhësia e territoreve që përfshijnë dhe mënyra e përshkallëzimit të tyre, raportet me territorin si një burim i fundmë / i pafundmë, shtysa drejt qytetit me rritje pa kufij, plani si instrument tipik i periudhës së industrializimit apo i epokës së informacionit, etj., i kanë rrënjët shumë më parë në histori dhe se ka prova për suksesin apo mossuksesin e tyre, prej të cilave mund të mësohet shumë. Përveç të tjerave, ky material shërben për të sjellë në kujtesë edhe autorët e planeve dhe projekteve, të cilët në një mënyrë apo në një tjetër kanë sjellë ide për zhvillimin urban të qytetit të Tiranës, apo në vendimmarrjen që lidhej me këto zhvillime në periudha të ndryshme. Kështu, ky material ndër të tjera është edhe një thirrje për të hequr dorë nga anonimiteti i projekteve të shkallës urbane. Për të bërë të mundur këtë kërkim, ku analizohen më me detaj ato projekte që ne i kemi konsideruar si më të rëndësishmit për rithemelimin, formësimin dhe konsolidimin e qytetit të Tiranës midis viteve 1920-1990, në mënyrë specifike i jemi referuar dokumenteve të vëna në dispozicion nga Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit mbi bazën e një projekti bashkëpunimi midis AQTN/MZHUT dhe Universitetit POLIS. Materiali strukturohet në disa kapituj kryesorë, të cilët janë emëruar mbi bazën e viteve kur janë hartuar planet që analizohen. Secili kapitull ka edhe një nëntitull i cili karakterizon çdo plan/periudhë përmes operacioneve kyçe. Kapitulli i parë përfshin periudhën 1920-1931, kur Tirana synon të transformohet nga një vendbanim pothuajse fshat në kryeqytet; kapitulli i dytë përfshin periudhën 1939-1943, kur Tirana rithemelohet duke kaluar nga një qytet organik në një qytet të organizuar; kapitulli i tretë përfshin periudhën 1957-1958, kur Tirana pothuajse rifillon nga e para dhe përmban operacione që variojnë nga shkatërrimi i qendrës historike të Tiranës e deri tek krijimi i parkut të liqenit; kapitulli i katërt përfshin periudhën 1985-1989, kur Tirana parandien shpërthimin e madh dhe propozohen operacione si zgjatimi i bulevardit, pesë unaza dhe tre parqe periferike. Po ashtu, secili kapitull, në varësi të informacionit në dispozicion, përfshin disa çështje kryesore si p.sh., sfondin historik të kohës kur u hartua plani, procesin e hartimit të planit, dokumentacionin, organet miratuese dhe autorët, bazën hartografike që ka shërbyer për hartimin e planit, vizionet dhe konceptet e përgjithshme të planit, shifra sintetike në lidhje me gjendjen dhe parashikimet e planeve, propozimet kryesore të planit, skemat e zhvillimit dhe rrjetat rrugore, drejtimet kryesore të zhvillimit dhe raportin me rrethinat, propozimet në lidhje me elementet kryesore të strukturës së qytetit (si p.sh. zonat e banimit dhe të punës, parqet dhe zonat e tjera). Në fund të çdo kapitulli, nën titullin “copëzat nga qyteti i munguar”, supozohet se si mund të kishte qenë Tirana nëse disa nga operacionet e pazbatuara të planit, do të ishin realizuar. Në kapitujt që trajtojnë planet më të hershme vihen në dukje edhe elemente që kanë të bëjnë me gjuhën e përdorur, fjalorin e kohës dhe ndikimin e tyre në fjalorin që përdorim sot. Në fund të kapitujve jepen po ashtu edhe institucionet kryesore të kohës. Rrjedha e kapitujve ndërpritet shpesh nga reflektime teorike që lidhen me temat në diskutim, duke ndihmuar kështu jo vetëm në thellimin e mëtejshëm të tyre, por edhe në trajtimin e rastit shqiptar jo si një fenomen i izoluar.
Saranda e munguar është testamenti i gjurmëve të ngjizura nga ngjarjet dhe arsyet kryesore që i dhanë fillim ekzistencës, vazhdimësisë dhe transformimit të qytetit. Ky sekret i shpirtit të qytetit, thesar ende i fshehur, nuk serviret thjesht si nostalgji, por si energji pozitive transformuese dhe si instrument dizajni nga ku mund të marrin jetë vepra të reja drejt një qyteti më të dëshiruar. Qyteti i munguar është rilexim i historisë së qytetit dhe vendmbajtësit të tij gjeografik, me ndjeshmërinë bashkëkohore për të rikuperuar urbanen dhe natyrën në një kohë kur duket se qytetet tona kanë humbur orientimin; është një sinjal për të kuptuar se si fusha e kërkimeve me fokus historinë e qytetit mund të bëhet aktive dhe pjesëmarrëse për të ndërtuar vlera të së ardhmes; përpjekje për të kuptuar se si zgjidhje në të kaluarën mund të ndikojnë të tashmen dhe të ardhmen. Diferenca midis qytetit real e të përditshëm dhe atij imagjinar, apo midis gjendjes si jemi dhe si duam të jemi, krijon qytetin e munguar. Kjo është hapësira e kërkimit të cilën përpiqemi të eksplorojmë e të risjellim në serinë e qyteteve të munguara. Saranda, si vazhdim i kësaj serie, është rasti i dytë që trajtojmë në këndvështrimin e marrëdhënieve që krijon qyteti me projektet dhe vizionet e hartuara për të, me energjitë mendore, intelektuale, trashëgiminë e tyre, si edhe ndikimin që ato kanë në të ardhmen e qytetit.
Besnik Aliaj
added a project goal
Seria e Publikimeve Shkencore: QYTETET E MUNGUARA është rilexim i historisë së qyteteve dhe vendmbajtësve të tyre gjeografik, me ndjeshmërinë bashkëkohore për të rikuperuar urbanen dhe natyrën në një kohë kur duket se qytetet tona kanë humbur orientimin; është një sinjal për të kuptuar se si fusha e kërkimeve me fokus historinë e një qyteti mund të bëhet aktive dhe pjesëmarrëse për të ndërtuar vlera të së ardhmes; përpjekje për të kuptuar se si zgjidhje në të kaluarën mund të ndikojnë të tashmen dhe të ardhmen. Diferenca midis qytetit real e të përditshëm dhe atij imagjinar, apo midis gjendjes si jemi dhe si duam të jemi, krijon qytetin e munguar. Kjo është hapësira e kërkimit të cilën përpiqemi të eksplorojmë e të risjellim në serinë e qyteteve të munguara.